Insights
Transformimi i kuadrit ligjor në sektorin e energjisë elektrike
Analizë juridike mbi ligjin nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike”
Miratimi i ligjit nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike” përfaqëson jo thjesht një ndërhyrje përmirësuese mbi legjislacionin ekzistues, por një riformatim të plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator të sektorit. Ligji i ri shfuqizon shprehimisht ne nenin 136 te tij, ligjin nr. 43/2015, të ndryshuar, dhe vendos një regjim të ri për organizimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri.
CILAT JANË RISITË?
1. Thellimi i përafrimit me acquis të Bashkimit Europian
Nga pikëpamja juridike, një prej elementeve kryesore është përafrimi i pjesshëm me legjislacionin europian të Paketës së Energjisë së Pastër. Edhe ligji nr. 43/2015 ishte hartuar në kuadër të përafrimit të sektorit shqiptar të energjisë me acquis të BE-së.
Risia qëndron te niveli dhe objekti i ri i përafrimit. Ligji nr. 59/2026 përafron kuadrin shqiptar me aktet më të reja europiane të vitit 2019, konkretisht me:
- Direktivën (BE) 2019/944, mbi rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike;
- Rregulloren (BE) 2019/943, për tregun e brendshëm të energjisë elektrike;
- Rregulloren (BE) 2019/941, për gatishmërinë ndaj rreziqeve në sektorin e energjisë elektrike;
- Rregulloren (BE) 2019/942, për krijimin dhe funksionimin e Agjencisë së Bashkimit Europian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë – ACER.
Përdorimi i formulimit “përafruar pjesërisht” ka rëndësi juridike: miratimi i ligjit nuk përfundon automatikisht procesin e harmonizimit. Zbatimi efektiv do të varet nga nxjerrja e akteve nënligjore, përshtatja e rregullave të tregut dhe harmonizimi i praktikës administrative e rregullatore.
Periudha “tranzitore”
Shfuqizimi i ligjit nr. 43/2015 nuk do të thotë se i gjithë kuadri ekzistues rregullator zëvendësohet menjëherë në praktikë.
Ligji përmban dispozita tranzitore dhe afate për përshtatjen e operatorëve, procedurave dhe rregullave teknike. Në këtë fazë mund të lindin çështje të rëndësishme interpretimi: cili akt zbatohet, në çfarë mase vazhdojnë efektet e licencave dhe autorizimeve ekzistuese dhe cilat detyrime kërkojnë përshtatje të menjëhershme.
Çfarë rreziqesh juridike lindin gjatë periudhës trazitore ndërmjet ligjit të vjetër dhe kuadrit të ri?
Periudha kalimtare krijon edhe rrezik juridik sepse ligji nr. 59/2026 ka shfuqizuar ligjin nr. 43/2015, ndërsa jo të gjitha rregulloret, metodologjitë dhe procedurat zbatuese mund të zëvendësohen menjëherë. Neni 136 trajton shfuqizimin e kuadrit të mëparshëm, por formulimi i pikës 2 për aktet nënligjore kërkon interpretim të kujdesshëm, pasi teksti i publikuar përcakton zbatimin e tyre, për aq sa nuk bien në kundërshtim me ligjin e ri, “deri në hyrjen në fuqi” të tij. Kjo mund të krijojë paqartësi për bazën nënligjore që duhet përdorur pas hyrjes në fuqi, deri në miratimin e akteve të reja.
Rreziku i parë lidhet me identifikimin e normës së zbatueshme. Një operator mund të ketë një licencë të vlefshme dhe të veprojë sipas një rregulloreje të mëparshme, ndërkohë që ligji i ri ka ndryshuar klasifikimin e aktivitetit, kriteret e licencimit ose detyrimet e raportimit. Në këtë situatë duhet vlerësuar nëse akti i vjetër vazhdon të zbatohet, nëse bie në kundërshtim me ligjin e ri apo nëse ekziston një boshllëk që kërkon ndërhyrjen e ERE-s.
Një rrezik tjetër është mosidentifikimi në kohë i një detyrimi të ri. Rasti i depozitimit të energjisë është rast ilustrues: operatorët me impiante në zhvillim ose në operim, pa licencë të veçantë depozitimi, duhet të njoftojnë dhe të regjistrohen pranë ERE-s. Kjo tregon se një projekt i nisur ligjërisht sipas kuadrit të mëparshëm mund të ketë nevojë për përshtatje të re administrative, pa qenë domosdoshmërisht i paligjshëm në origjinë.
Paqartësia mund të prekë edhe kontratat ekzistuese. Kontratat e furnizimit, shitblerjes, balancimit, lidhjes me rrjetin ose përdorimit të kapaciteteve nuk bëhen automatikisht të pavlefshme, por disa klauzola mund të kërkojnë ndryshim kur bien në kundërshtim me normat detyruese të ligjit të ri. Në veçanti, duhet të kontrollohen dispozitat për licencimin, matjen, përgjegjësinë e balancimit, ndarjen e veprimtarive, të drejtat e klientëve etj.
Ekziston gjithashtu rreziku i praktikës administrative jo të njëtrajtshme. Derisa ERE të përshtatë rregullat dhe procedurat e saj, mund të ketë dallime në mënyrën se si trajtohen aplikimet e nisura para hyrjes në fuqi, rinovimet e licencave dhe aktivitetet e reja. Vetë ERE e ka paraqitur ligjin nr. 59/2026 si kuadrin e ri dhe ka nisur procesin e zbatimit të tij, ndërsa ligjin nr. 43/2015 e klasifikon si të shfuqizuar. Prandaj, gjatë periudhës kalimtare, operatorët nuk duhet të mbështeten vetëm te fakti se “kanë vepruar gjithmonë kështu” ose se një licencë e mëparshme vazhdon formalisht të jetë në fuqi. Nevojitet një kontroll konkret i përputhshmërisë për të përcaktuar nëse aktiviteti ekzistues mbulohet ende, nëse kërkohet njoftim, regjistrim, ndryshim licence apo përshtatje kontraktore.
Çfarë do të ndodhë me licencat, autorizimet dhe kontratat e lidhura sipas ligjit të vjetër?
Shfuqizimi i ligjit nr. 43/2015 nuk do të thotë se licencat, autorizimet dhe marrëdhëniet kontraktore të krijuara gjatë zbatimit të tij bëhen automatikisht të pavlefshme. Në parim, aktet individuale të nxjerra ligjërisht vazhdojnë të prodhojnë efekte deri në përfundimin e afatit, ndryshimin, zëvendësimin ose shfuqizimin e tyre sipas procedurës përkatëse. Ligji nr. 59/2026 duhet lexuar së bashku me dispozitat e tij kalimtare dhe me aktet që ERE do të miratojë për zbatimin e kuadrit të ri.
Megjithatë, vazhdimësia e një licence nuk e përjashton subjektin nga detyrimi për t’u përshtatur me kërkesat e reja. Nëse ligji i ri ndryshon kushtet e ushtrimit të aktivitetit, vendos detyrime të reja raportimi ose njeh një veprimtari që më parë nuk ishte licencuar veçmas, operatori duhet të verifikojë nëse licenca ekzistuese e mbulon ende veprimtarinë reale apo kërkohet ndryshim, plotësim ose licencë e re.
Rasti më i qartë lidhet me impiantet e ruajtjes së energjisë. Operatorët që, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të ri, kishin impiante në zhvillim ose në operim, por nuk dispononin licencë të veçantë depozitimi, duhet të njoftojnë dhe të regjistrohen pranë ERE-s sipas nenit 51. ERE ka njoftuar se regjistrimi duhet të kryhet brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit; kjo tregon se kuadri i ri kërkon përshtatje konkrete edhe për projekte që kanë nisur më parë.
Edhe kontratat ekzistuese, si kontratat e furnizimit, shitblerjes, lidhjes me rrjetin ose balancimit, nuk anulohen vetëm për shkak të ndryshimit të ligjit. Por dispozitat e tyre duhet të kontrollohen kundrejt normave të reja detyruese. Kur një kusht kontraktor bie në kundërshtim me ligjin e ri ose me një akt të ri të ERE-s, autonomia kontraktore nuk mund të justifikojë një regjim të papajtueshëm me ligjin.
3. Zgjerimi i fushës së rregullimit
Ligji nuk kufizohet më vetëm te prodhimi, transmetimi, shpërndarja dhe furnizimi me energji elektrike. Në fushën e tij përfshihen tashmë edhe:
- agregimi;
- reagimi ndaj kërkesës;
- depozitimi i energjisë elektrike;
- funksionimi i pikave të rikarikimit;
- tregjet e balancimit dhe shërbimet ndihmëse;
- tregu i ditës në avancë dhe tregu brenda së njëjtës ditë;
- integrimi i tregut shqiptar me tregjet rajonale dhe europiane.
Ky zgjerim sjell pasoja të drejtpërdrejta juridike për përcaktimin e statusit të operatorëve, procedurat e autorizimit dhe licencimit, përgjegjësitë kontraktore, aksesin në rrjet dhe detyrimet e raportimit.
A mundet një subjekt t’u shesë ose t’u ndajë energji bizneseve të tjera brenda të njëjtit objekt?
Ligji nr. 59/2026 e njeh këtë mundësi, por bën dallim juridik ndërmjet ndarjes së energjisë, rishitjes së energjisë dhe veprimtarisë së zakonshme të furnizimit. Sipas nenit 3, pika 73, ndarja e energjisë është furnizimi i një klienti fundor nga një klient aktiv ose komunitet qytetar i energjisë, kur energjia është prodhuar nga vetë subjekti që e ndan dhe impianti i prodhimit ndodhet në të njëjtën vendndodhje me klientin blerës. Kjo mund të ketë rëndësi, për shembull, për një qendër biznesi që prodhon energji fotovoltaike dhe ua ndan atë subjekteve që veprojnë brenda të njëjtit kompleks.
Në ndryshim nga kjo, rishitja lidhet me energjinë që subjekti e ka blerë më parë nga një furnizues i licencuar dhe ua kalon përdoruesve të tjerë brenda ambienteve të tij. Pra, dallimi kryesor qëndron te origjina e energjisë: te ndarja kemi energji të vetëprodhuar, ndërsa te rishitja kemi energji të blerë dhe më pas të faturuar brenda të njëjtit mjedis.
Sipas nenit 40, pika 9, si rishitja, ashtu edhe ndarja e energjisë përjashtohen nga detyrimi për licencë furnizimi. Megjithatë, ky përjashtim nuk zbatohet automatikisht. Neni 40, pika 10, kërkon që ERE të përcaktojë më parë kushtet e çmimit maksimal; vetëm pas miratimit të tyre dhe pas njoftimit të ERE-s subjekti mund të ushtrojë ndarjen ose rishitjen pa licencë furnizimi.
Kjo do të thotë se një biznes nuk mund ta trajtojë vetëprodhimin si një autorizim të pakufizuar për t’u bërë furnizues i të gjithë subjekteve përreth. Përjashtimi lidhet me kushte të përcaktuara: të njëjtën vendndodhje, origjinën e energjisë, çmimin maksimal, njoftimin e ERE-s dhe respektimin e rregullave të tregut e të rrjetit. Nëse energjia furnizohet jashtë këtij konfigurimi ose aktiviteti merr formën e furnizimit të rregullt të klientëve të tretë, mund të kërkohet licencë furnizimi sipas nenit 40, pika 2, shkronja “ç”.
Pra, ligji krijon një hapësirë të re për qendrat tregtare, parqet industriale, ndërtesat me disa qiramarrës dhe komplekset turistike, por kufiri ligjor mbetet i qartë: ndarja ose rishitja pa licencë lejohet vetëm brenda përjashtimit dhe kushteve që do të përcaktojë ERE-ja. Deri në miratimin e këtyre kushteve, dispozita nuk mund të trajtohet si një e drejtë menjëherë e ushtrueshme në praktikë.
Nga konsumatori pasiv te pjesëmarrësi aktiv
Një nga ndryshimet konceptuale të kuadrit të ri ligjor është kalimi nga modeli tradicional, ku klienti fundor kufizohej kryesisht në blerjen dhe konsumin e energjisë elektrike, drejt një modeli ku ai mund të marrë pjesë aktivisht në treg.
Ligji nr. 59/2026 përfshin në fushën e tij të rregullimit, krahas prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit, edhe agregimin, reagimin ndaj kërkesës, depozitimin e energjisë elektrike dhe funksionimin e pikave të rikarikimit. Kjo rezulton shprehimisht nga neni 2 i ligjit dhe tregon zgjerimin e marrëdhënieve juridike që tashmë mbulohen nga legjislacioni energjetik.
Në aspektin praktik, një klient që instalon panele fotovoltaike nuk trajtohet më domosdoshmërisht vetëm si marrës i energjisë nga rrjeti. Në varësi të kushteve ligjore dhe rregullatore, ai mund:
- të prodhojë energji për nevojat e veta;
- të depozitojë energjinë e prodhuar nëpërmjet baterive;
- të shesë energjinë e tepërt;
- të përshtatë konsumin sipas sinjaleve të tregut;
- të marrë pjesë në treg nëpërmjet një agreguesi;
- të bëhet pjesë e një komuniteti energjetik.
Shembull ilustrues: një subjekt tregtar që ka instaluar panele fotovoltaike dhe një sistem baterish mund të konsumojë energjinë e prodhuar gjatë ditës, të depozitojë tepricën dhe ta përdorë atë në orët kur çmimi ose kërkesa është më e lartë. Nëse vepron nëpërmjet një agreguesi, kapaciteti i tij mund të bashkohet me kapacitetet e klientëve të tjerë dhe të ofrohet në treg si reagim ndaj kërkesës.
Nga pikëpamja juridike, kjo sjell marrëdhënie të reja kontraktore dhe rregullatore ndërmjet klientit, furnizuesit, agreguesit, operatorit të rrjetit dhe, sipas rastit, operatorit të impiantit të depozitimit. Përfshirja e depozitimit si veprimtari më vete është tashmë konkrete edhe në praktikën rregullatore: ERE ka kërkuar regjistrimin e operatorëve që kanë impiante depozitimi në zhvillim ose në operim dhe nuk disponojnë licencë të veçantë.
Rëndësia juridike e këtij transformimi qëndron në faktin se klienti nuk është më vetëm palë e mbrojtur në një kontratë furnizimi. Ai mund të fitojë edhe statusin e një pjesëmarrësi në treg, me të drejta, por edhe me detyrime që lidhen me:
- matjen dhe shkëmbimin e të dhënave;
- aksesin dhe lidhjen me rrjetin;
- licencimin ose regjistrimin, kur kërkohet;
- përgjegjësinë kontraktore;
- respektimin e rregullave teknike dhe të tregut.
Pra kalimi nga konsumatori pasiv te pjesëmarrësi aktiv nuk është vetëm ndryshim terminologjik. Ai përfaqëson zgjerimin e statusit juridik të klientit dhe krijimin e mundësive të reja për prodhim, depozitim, fleksibilitet dhe pjesëmarrje në treg, të shoqëruara me kërkesa të reja për përputhshmëri ligjore dhe rregullatore.
A mund të bëhet konsumatori tashmë njëkohësisht prodhues, depozitues dhe shitës i energjisë?
Ligji nr. 59/2026 e ndryshon konceptin tradicional të konsumatorit, duke njohur figurën e klientit aktiv. Ky është klienti fundor që, individualisht ose së bashku me klientë të tjerë, mund të konsumojë, depozitojë ose shesë energjinë elektrike të prodhuar prej tij, si dhe të marrë pjesë në skema fleksibiliteti ose eficience energjetike. Pra, konsumatori nuk mbetet domosdoshmërisht vetëm marrës i energjisë dhe pagues i faturës.
Sipas nenit 96, klienti aktiv mund të ushtrojë veprimtarinë drejtpërdrejt ose nëpërmjet një agreguesi, të shesë energjinë e vetëprodhuar dhe të zotërojë apo operojë një impiant depozitimi.
Megjithatë, statusi i klientit aktiv nuk përbën autorizim të përgjithshëm për tregtimin e energjisë. E drejta e shitjes lidhet në parim me energjinë e vetëprodhuar. Kur subjekti blen energji me qëllim rishitjeje, furnizon rregullisht persona të tretë ose e kthen shitjen në aktivitetin e tij kryesor, veprimtaria mund të hyjë në regjimin e prodhimit, tregtimit ose furnizimit të licencuar.
Klienti aktiv mbetet gjithashtu subjekt i kërkesave teknike dhe ekonomike të sistemit. Energjia e marrë nga rrjeti dhe ajo e injektuar duhet të maten në mënyrë të veçantë, ndërsa përgjegjësia për disbalancat duhet të mbahet prej tij ose t’i delegohet një pale tjetër. Kështu, ligji i njeh konsumatorit një rol më të gjerë, por e lidh ushtrimin e këtij roli me matjen, lidhjen me rrjetin, balancimin dhe respektimin e akteve të ERE-s.
Në përfundim, konsumatori mund të jetë njëkohësisht prodhues, depozitues dhe shitës i energjisë së vetëprodhuar. Çështja juridike që duhet vlerësuar për çdo rast është nëse subjekti vazhdon të veprojë brenda statusit të klientit aktiv apo veprimtaria e tij ka marrë përmasat e një aktiviteti të veçantë energjetik që kërkon licencim?
Ku është kufiri ndërmjet ndarjes së energjisë, rishitjes dhe furnizimit që kërkon licencë?
Ligji nr. 59/2026 i trajton si marrëdhënie juridike të ndryshme ndarjen, rishitjen dhe furnizimin me energji elektrike. Dallimi nuk është vetëm terminologjik, sepse prej klasifikimit të aktivitetit varet nëse subjekti mund të veprojë pa licencë apo duhet të licencohet nga ERE.
Te ndarja e energjisë, energjia prodhohet nga vetë klienti aktiv ose komuniteti qytetar i energjisë dhe u jepet klientëve të tjerë brenda kushteve dhe kufijve territorialë të përcaktuar nga ligji. Te rishitja, subjekti nuk ua kalon përdoruesve energjinë e prodhuar prej tij, por energjinë që e ka blerë nga një furnizues i licencuar, zakonisht brenda ambienteve ose kompleksit që administron. Ky dallim lidhet kryesisht me origjinën e energjisë dhe marrëdhënien që subjekti ka me përdoruesit fundorë.
Sipas nenit 40, ndarja dhe rishitja mund të përjashtohen nga licenca e furnizimit, por vetëm brenda kushteve të parashikuara nga ligji dhe rregullave që duhet të miratojë ERE, përfshirë kushtet mbi çmimin maksimal dhe njoftimin e autoritetit. Pra, përjashtimi nuk duhet interpretuar si e drejtë e përgjithshme për çdo pronar godine apo biznes që të furnizojë persona të tretë pa kufizime.
Veprimtaria kalon drejt furnizimit të licencueshëm kur subjekti shet energji në mënyrë të pavarur dhe të organizuar te klientët fundorë, jashtë konfigurimit të posaçëm të ndarjes ose rishitjes. Shenja juridike me rëndësi janë: furnizimi i klientëve jashtë ambienteve të subjektit, krijimi i një portofoli të pavarur klientësh, blerja sistematike e energjisë me qëllim shitjeje dhe ushtrimi i aktivitetit si veprimtari tregtare më vete. Furnizimi është ndër aktivitetet për të cilat ligji parashikon licencim nga ERE.
4. Konkurrenca dhe ndarja e veprimtarive
Ligji nr. 59/2026 forcon kërkesat për ndarjen juridike, organizative dhe kontabël të veprimtarive në sektorin e energjisë elektrike, me qëllim garantimin e transparencës, mosdiskriminimit dhe funksionimit efektiv të tregut.
Sipas nenit 38, çdo subjekt i licencuar që ushtron më shumë se një veprimtari duhet të mbajë llogari të veçanta për secilën veprimtari të licencuar, si edhe për aktivitetet që nuk lidhen me sektorin e energjisë elektrike. Qëllimi i këtij detyrimi është shmangia e ndërsubvencionimit dhe e cenimit të konkurrencës. Për veprimtaritë e transmetimit dhe të shpërndarjes, llogaritë nuk mund të paraqiten thjesht në mënyrë të konsoliduar.
Në kuptimin praktik, ndërsubvencionimi mund të ndodhë kur të ardhurat ose kostot e një veprimtarie të rregulluar, për shembull shpërndarjes, përdoren për të financuar ose favorizuar një veprimtari tjetër konkurruese, si furnizimi apo tregtimi. Një praktikë e tillë mund t’i krijojë subjektit të integruar një avantazh të padrejtë kundrejt operatorëve të tjerë të tregut.
Ligji kërkon gjithashtu që të ardhurat që burojnë nga çdo e drejtë mbi rrjetin e transmetimit ose të shpërndarjes të identifikohen në mënyrë të veçantë në llogaritë e subjektit. Pasqyrat financiare vjetore duhet të auditohen dhe auditimi duhet të verifikojë nëse është respektuar detyrimi për shmangien e ndërsubvencionimit ndërmjet veprimtarive të licencuara. Këto pasqyra duhet të publikohen dhe të jenë të disponueshme për palët e interesuara.
Në lidhje me licencimin, neni 40, pika 3, përcakton se për çdo aktivitet që i nënshtrohet licencimit lëshohet licencë e veçantë, edhe kur disa licenca i jepen të njëjtës shoqëri. Ligji përfshin si veprimtari të licencuara prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, furnizimin, tregtimin, operimin e tregut, operimin e impianteve të depozitimit dhe agregimin.
Një nivel më i fortë ndarjeje parashikohet për operatorët e rrjetit. Sipas nenit 59, Operatori i Sistemit të Transmetimit duhet ta ushtrojë veprimtarinë të ndarë nga aktivitetet e prodhimit dhe furnizimit, duke garantuar pavarësinë e kontrollit dhe vendimmarrjes së tij.
Po kështu, neni 87 parashikon që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes të jetë i ndarë dhe i pavarur nga aktivitetet që nuk lidhen me shpërndarjen. Në parim, ai nuk mund të zotërojë, zhvillojë, menaxhojë ose operojë impiante të depozitimit të energjisë, përveç rasteve të posaçme të parashikuara nga ligji.
Rëndësia juridike e këtyre dispozitave qëndron në faktin se operatorët e rrjetit kontrollojnë infrastruktura thelbësore për hyrjen në treg. Për këtë arsye, ata duhet të veprojnë në mënyrë neutrale dhe të mos favorizojnë prodhues, furnizues apo shoqëri të lidhura me ta në dhënien e aksesit, në aplikimin e tarifave ose në sigurimin e informacionit.
Mosrespektimi i ndarjes së veprimtarive dhe i mbajtjes së llogarive të veçanta përbën shkelje administrative sipas dispozitave sanksionuese të ligjit, të cilat i referohen shprehimisht detyrimeve të përcaktuara në nenet 38, 59 dhe 87.
Në përfundim, ndarja e veprimtarive nuk është vetëm një kërkesë formale kontabiliteti. Ajo është mekanizëm juridik për të garantuar që kostot e rrjetit të mos përdoren për të financuar aktivitete konkurruese, që operatorët e lidhur të mos përfitojnë avantazhe të padrejta dhe që të gjithë pjesëmarrësit të kenë akses të barabartë dhe jodiskriminues në treg.
Çfarë është ndërsubvencionimi dhe si synon ligji ta parandalojë?
Ndërsubvencionimi ndodh kur të ardhurat, tarifat ose burimet financiare të një veprimtarie përdoren për të mbuluar kostot apo për të favorizuar një veprimtari tjetër. Në sektorin e energjisë, rreziku është veçanërisht i dukshëm kur e njëjta shoqëri ose i njëjti grup ushtron njëkohësisht aktivitete të rregulluara, si transmetimi apo shpërndarja, dhe aktivitete konkurruese, si furnizimi ose tregtimi.
Për shembull, nëse kostot e furnizimit konkurrues u ngarkohen padrejtësisht tarifave të shpërndarjes, furnizuesi i lidhur me operatorin e rrjetit mund të ofrojë çmime më të ulëta se konkurrentët, jo për shkak të eficiencës së tij, por sepse një pjesë e kostove mbulohet nga përdoruesit e rrjetit. Ky është një ilustrim ekonomik i ndërsubvencionimit dhe jo një rast konkret i përcaktuar në ligj.
Për ta parandaluar këtë, neni 38 i ligjit nr. 59/2026 kërkon që subjektet e licencuara të mbajnë llogari të veçanta për secilën veprimtari energjetike, sikur aktivitetet të ushtroheshin nga ndërmarrje të ndryshme. Po kështu, duhet të mbahen llogari të ndara për aktivitetet jashtë sektorit të energjisë. Qëllimi i shprehur i kësaj ndarjeje është shmangia e diskriminimit, ndërsubvencionimit dhe shtrembërimit të konkurrencës.
Ndarja kontabël duhet të bëjë të identifikueshme të ardhurat, kostot, asetet dhe detyrimet që i përkasin secilit aktivitet. Veçanërisht, veprimtaritë e transmetimit dhe shpërndarjes duhet të pasqyrohen në mënyrë të ndarë nga furnizimi, tregtimi dhe aktivitetet e tjera konkurruese. Kjo i mundëson ERE-s dhe audituesve të kontrollojnë nëse tarifat e rrjetit përdoren vetëm për mbulimin e kostove të ligjshme të rrjetit.
Nuk jam eksperte e fusës por medoj se ndërsubvencionimi nuk nënkupton çdo transferim financiar brenda një grupi shoqërish. Problemi juridik lind kur kostot ose të ardhurat shpërndahen në mënyrë që një aktivitet konkurrues të përfitojë avantazh të padrejtë, tarifat e rregulluara të përdoren për qëllime të tjera ose përdorues të caktuar të financojnë tërthorazi një kategori tjetër.
Si funksionojnë kontratat me çmim dinamik dhe çfarë rreziku merr klienti?
Ligji nr. 59/2026 njeh kontratën me çmim dinamik si kontratë furnizimi në të cilën çmimi që paguan klienti nuk mbetet i fiksuar, por pasqyron ndryshimet e çmimeve në tregjet spot, përfshirë tregun e ditës në avancë dhe tregun brenda së njëjtës ditë. Sipas përkufizimit të nenit 3, pika 60, këto ndryshime reflektohen në intervale të lidhura me frekuencën e luatjes së tregut. Kjo do të thotë se çmimi mund të ndryshojë në periudha shumë më të shkurtra sesa në një kontratë tradicionale furnizimi.
Në praktikë, klienti mund të përfitojë kur çmimi i energjisë në treg është i ulët dhe kur ka mundësi ta zhvendosë konsumin në oraret më të favorshme. Një biznes që mund të programojë proceset e tij, të përdorë sistem inteligjent matjeje ose të kombinojë konsumin me bateri mund të ulë kostot. Megjithatë, furnizuesi nuk garanton një çmim të pandryshueshëm: kur çmimet spot rriten, rritet edhe ekspozimi financiar i klientit. Prandaj, kjo kontratë transferon te klienti një pjesë më të madhe të riskut të luhatjes së tregut.
Ligji vendos edhe garanci të posaçme. Sipas nenit 98, furnizuesi duhet ta informojë klientin për mundësitë, kostot dhe rreziqet e kontratës dinamike dhe duhet të marrë pëlqimin e klientit fundor përpara kalimit në këtë kontratë. Kjo do të thotë se furnizuesi nuk mund ta transferojë klientin në mënyrë të njëanshme në një produkt me çmim dinamik. ERE ka detyrimin të monitorojë zhvillimin e këtyre kontratave, ndikimin e tyre në faturat e klientëve, luhatshmërinë e çmimeve dhe praktikat e mundshme abuzive.
Nga pikëpamja juridike, përpara nënshkrimit duhet të jetë e qartë se cili treg ose indeks përdoret për përcaktimin e çmimit, sa shpesh ndryshon ai, çfarë tarifash shtesë aplikohen, si sigurohen të dhënat e matjes dhe si mund të zgjidhet kontrata. Një kontratë e quajtur “dinamike”, por që nuk shpjegon formulën, intervalin e çmimit dhe ekspozimin maksimal të klientit, mund të krijojë probleme serioze transparence dhe mbrojtjeje kontraktore.
Pra, kontrata dinamike nuk është domosdoshmërisht më e lirë; ajo është më e lidhur me tregun. Përfitimi varet nga mënyra e konsumit dhe aftësia e klientit për t’iu përgjigjur çmimeve, ndërsa konsultimi paraprak është i rëndësishëm për të vlerësuar nëse fleksibiliteti i ofruar e justifikon riskun financiar që klienti merr përsipër.
Perfundim juridik
Ligji nr. 59/2026 shënon kalimin nga një model tradicional i rregullimit të sektorit drejt një tregu më të decentralizuar, konkurrues, të digjitalizuar dhe të integruar me tregun europian.
Megjithatë, transformimi ligjor nuk përfundon me miratimin e ligjit. Ai do të konkretizohet përmes akteve nënligjore, vendimeve të ERE-s, rregullave të tregut dhe mënyrës së interpretimit e zbatimit të tyre nga institucionet kompetente.
Sipas meje kjo do të jetë rrugëtim I gjatë dhe test institucional por sigurisht përbënte një domosdoshmëri për sektorin energjitik. Në projekte të karakterizuara nga licencime, autorizime, investime të konsiderueshme dhe marrëdhënie komplekse kontraktore, konsultimi juridik paraprak përbën një bazë thelbësore për identifikimin e detyrimeve, menaxhimin e riskut rregullator dhe strukturimin e qëndrueshëm të projektit.
Burim zyrtar: Enti Rregullator i Energjisë (ERE), ligji nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike”.