Insights
DIVORCI NË SHQIPËRI: PROCEDURA LIGJORE DHE ÇËSHTJET QË DUHET TË ZGJIDHEN
1. Çfarë është zgjidhja e martesës
2. Divorci me marrëveshje dhe divorci me kërkesën e njërit bashkëshort
3. Cila gjykatë është kompetente
4. Dokumentet e nevojshme
5. Fëmijët: përgjegjësia prindërore, banimi dhe e drejta e takimit, detyrimi për ushqim
6. Divorci kur njëri bashkëshort jeton jashtë Shqipërisë
7. Roli i avokatit
ÇFARË ËSHTË ZGJIDHJA E MARTESËS?
Zgjidhja e martesës është një proces juridik që nuk përfundon vetëm me deklarimin e divorcit nga gjykata. Në varësi të rrethanave familjare, gjatë procesit mund të trajtohen edhe çështje që lidhen me fëmijët, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, detyrimin për ushqim, përdorimin e banesës familjare dhe marrëdhëniet pasurore ndërmjet bashkëshortëve.
Për këtë arsye, përpara fillimit të procedurës, është e rëndësishme që secili bashkëshort të kuptojë të drejtat, detyrimet dhe pasojat juridike që mund të sjellë zgjidhja e martesës.
CILA GJYKATË ËSHTË KOMPETENTE
Padia për zgjidhjen e martesës paraqitet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm që mbulon:
- vendin ku bashkëshortët kanë pasur banimin e fundit të përbashkët; ose
- vendin ku banon bashkëshorti i paditur.
Kur njëri bashkëshort jeton jashtë Shqipërisë ose adresa e tij nuk dihet, kompetenca dhe mënyra e njoftimit përcaktohen sipas rrethanave të çështjes.
SI MUND TË KËRKOHET DIVORCI NË SHQIPËRI?
Zgjidhja e martesës mund të kërkohet kur vazhdimi i jetës së përbashkët është bërë i pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortët.
Në varësi të situatës konkrete, procesi mund të zhvillohet:
- me kërkesën e përbashkët të të dy bashkëshortëve;
- me kërkesën e njërit prej bashkëshortëve;
- për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët;
- për shkaqe të tjera që e kanë bërë të pamundur vazhdimin e martesës.
Kur bashkëshortët janë dakord për zgjidhjen e martesës dhe për pasojat e saj, procesi zakonisht është më pak konfliktual. Marrëveshja duhet të trajtojë qartë çështjet që lidhen me fëmijët, detyrimin për ushqim dhe, sipas rastit, marrëdhëniet pasurore.
DIVORCI KUR BASHKËSHORTËT KANË FËMIJË
Kur bashkëshortët kanë fëmijë të mitur, gjykata nuk vendos vetëm për zgjidhjen e martesës, por shqyrton edhe pasojat që divorci sjell në jetën e fëmijëve. Në çdo vendim, konsiderata kryesore duhet të jetë interesi më i lartë i fëmijës.
Gjykata duhet të vendosë, sipas rrethanave konkrete, për:
- prindin me të cilin do të banojë dhe do të rritet fëmija;
- mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore;
- të drejtën e prindit tjetër për të takuar dhe mbajtur kontakte me fëmijën;
- detyrimin për ushqim dhe masën e kontributit financiar;
- çështje të tjera që lidhen me edukimin, shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës, lëvizjen e lirë.
Lënia e fëmijës për rritje dhe edukim pranë njërit prind nuk e shkëput marrëdhënien e tij me prindin tjetër dhe, si rregull, nuk i heq këtij të fundit të drejtën dhe detyrimin për të marrë pjesë në jetën e fëmijës.
Gjatë vlerësimit, gjykata mund të marrë parasysh kushtet e jetesës, lidhjen emocionale të fëmijës me secilin prind, aftësinë e prindërve për t’u kujdesur për të, stabilitetin e ambientit familjar dhe mendimin e fëmijës, në varësi të moshës dhe aftësisë së tij për të kuptuar.
Marrëveshja ndërmjet prindërve është e dobishme, por ajo nuk miratohet automatikisht. Gjykata duhet të kontrollojë nëse kushtet e saj mbrojnë realisht interesin e fëmijës. Në procedurat që lidhen me të miturin, Kodi i Familjes parashikon edhe praninë e psikologut për vlerësimin e thënieve dhe interesave të tij.
A MUND TA ZGJIDH MARTESËN EDHE KUR BASHKËSHORTI NUK ËSHTË DAKORD?
Po. Për zgjidhjen e martesës nuk kërkohet domosdoshmërisht pëlqimi i të dy bashkëshortëve.
Secili bashkëshort mund t’i drejtohet individualisht gjykatës kur, për shkak të grindjeve të vazhdueshme, keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore apo shkaqeve të tjera që përbëjnë shkelje të përsëritur të detyrimeve martesore, jetesa e përbashkët është bërë e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj. Kjo parashikohet nga neni 132 i Kodit të Familjes.
Pra, bashkëshorti tjetër nuk mund ta pengojë divorcin vetëm duke deklaruar se nuk është dakord. Gjykata do të shqyrtojë rrethanat, provat dhe faktin nëse martesa ka humbur realisht funksionin e saj.
Një mënyrë tjetër është kërkimi i zgjidhjes së martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët, kur bashkëshortët kanë jetuar të ndarë faktikisht prej të paktën tre vjetësh.
A MUND TË VAZHDOJË DIVORCI KUR BASHKËSHORTI/JA NUK PARAQITET NË GJYKATË?
Mosparaqitja e bashkëshortit nuk e bllokon automatikisht procesin. Gjykata duhet të sigurohet fillimisht që pala tjetër është njoftuar rregullisht dhe i është dhënë mundësia të marrë pjesë, të paraqesë kundërshtimet dhe provat e saj. Kur njoftimi është kryer sipas ligjit dhe bashkëshorti, pa shkak të ligjshëm, zgjedh të mos paraqitet, çështja mund të vazhdojë në mungesë të tij, sipas rregullave procedurale.
Nëse adresa e bashkëshortit nuk dihet, ai jeton jashtë vendit ose shmang marrjen e njoftimeve, duhet të ndiqen format ligjore të njoftimit. Kjo mund ta zgjasë procesin, por nuk i jep bashkëshortit të drejtën ta pengojë pa afat zgjidhjen e martesës.
Divorci është një proces juridik që duhet trajtuar me kujdes dhe me mbështetjen e një avokati, veçanërisht kur përfshihen fëmijë, detyrime financiare apo mosmarrëveshje pasurore.